Thaçi kërkon votën për Shukri Bujën

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – Dega në Lipjan, e ka vazhduar të martën mbrëma fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit, në Shalë, Gadime dhe Sllovi të Lipjanit, ku bashkë me kandidatin për kryetar të komunës së Lipjanit, Shukri Bujën, programin e PDK-së e ka shpalosur edhe vet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe anëtarët e Kryesisë së PDK-së, Arsim Bajrami e Memli Krasniqi.

Kryetari i PDK-se dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para banorëve të Shalës, tha se suksesi i shtetit të Kosovës lidhet drejtpërdrejt me luftën dhe heroizmin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, e në mesin e tyre edhe të banorëve të Shalës. “Jam këtu, në mesin e njerëzve që i kanë dhënë shumë fitore PDK-së dhe sonte kam ardhur t’ju falënderoj për besimin tuaj”, tha Thaçi para Shaljanëve.

Ai bëri thirrje që të zhvillohet një fushatë e qetë dhe e konkurrencës së vlerave, ndërkaq i ftoi Shaljanët që më 3 nëntor ta votojnë Shukri Bujën dhe listën e PDK-së. “Dilni dhe votoni masovikisht Shukri Bujën, i cili e ka gjithmonë mbështetjen time. Shukri Buja më shumë ka realizuar se sa që ka premtuar”, tha më tej Thaçi.

Ndërsa, duke e shpalosur programin elektoral për qeverisjen e ardhshme katërvjeçare të komunës së Lipjanit, Shukri Buja tha se qeverisja e PDK-së në Lipjan në mandatin që po e lëmë, ka investuar në infrastrukturë rrugore dhe shkollore, në ujësjellës dhe kanalizim, dhe të gjitha projektet janë shpërndarë në mënyrë të barabartë për të gjithë banorët e komunës.

Z. Buja i prezantoi të gjitha investimet dhe projektet e realizuara deri më tani, ndërkaq premtoi vazhdimin e investimeve, sidomos në bujqësi, dhe tha se do të realizohen disa projekte në sistemin e ujitjes dhe do të ketë mbështetje të vazhdueshme për fermerët lipjanas.

Kryetari i PDK-se dhe Kryeministri i Kosovës, z, Hashim Thaçi, e ka vazhduar aktivitetin elektoral në mbështetje të kandidatit të PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Bujës edhe në Gadime dhe Sllovi. Thaçi u tha banorëve të Gadimes se të gjithë banorët e Lipjanit do të jenë të bashkuar në fitoren e Shukri Bujës më 3 nëntor.

“Ju ftoj që ta votoni Shukri Bujen, sepse Shukri Buja ka investuar rreth 60 milionë euro në komunën e Lipjanit. Të jeni të sigurt se projektet që i prezanton Shukri Buja, janë edhe projekte të mija, dhe do ta kenë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës”, tha Thaçi në Gadime.

Edhe në Gadime ,Shukri Buja e ka shpalosur programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.“Unë erdha sot te ju me besimin e plotë se ju do jeni me numrin 99, bashkë me PDK-në, ju do të jeni bashkë me ne në ecje përpara, në ecje me Lipjanin evropian”, tha Buja në Gadime.

Anëtari i Kryesisë Qendrore të PDK-së, Arsim Bajrami, gjatë fjalës së tij, u tha gadimasve se PDK-ja ka besim të palëkundur se qytetarët e Lipjanit do ta votojnë sërish Shukri Bujën dhe alternativën qeverisëse të PDK-së. “Ne ju ftojmë në mënyrë masovike të dilni të votoni kandidatin tonë për kryetar, listën tonë më të mirë, në mënyrë që Gadimja t’i bashkohet fitores së PDK-së”, tha Bajrami.

Edhe në takimin me banorët e Sllovisë, kryeministri Thaçi bëri thirrje për një fushatë të qetë, ndërkaq u tha slloviasve se vota për Shukri Bujën është votë për qeverisje të mirë.

“Vota për Shukri Bujën është votë për zhvillimin ekonomik të Lipjanit, është votë për mirëqenie sociale, është votë për krijimin e vendeve të punës, është votë për pensionistin, është votë për fermerin, është votë për familjarët e dëshmorëve, për veteranët e luftës, për invaliditet e luftës, është votë për rininë, për studentët, për policët e Kosovës, për pjesëtarët e FSK-së, prandaj, të gjithë, pa dallim, dilni dhe votoni Partinë Demokratike të Kosovës”, tha Thaçi në Sllovi të Lipjanit.

Po ashtu, edhe në takimin me banorët e Sllovisë, kandidati për kryetar të komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka shpalosur programin qeverisës të PDK-së, si dhe premtoi realizimin e shumë projekteve të tjera. /Zëri/

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.

Perkthimet