Ushqimi i modifikuar gjenetikisht mposht aktivistët

Shumica e amerikanëve mendojnë se ushqimet OMGJ duhet të shënohen si të tilla në etiketë. Por paratë e industrisë së ushqimit bën që ata të ndryshojnë mendim kur përballen me kutitë e votimit

Paratë dhe demokracia

The Economist
molla
Në shtetin e Uashingtonit në SHBA, një fushatë për të ndaluar markimin e detyrueshëm të ushqimeve të modifikuara gjenetikisht në etiketa, si shenjë dalluese nga ushqimet e pamodifikuara, arriti të bindë votuesit në një referendum dhe triumfoi. Jo vetëm që triumfoi, por arriti edhe të bindë votuesit të ndryshojnë mendim në mënyrë drastike në më pak se dy muaj fushatë. Në shtator, 66 për qind e votuesve rezultonin mbështetës të damkosjes nëpër etiketa të ushqimeve të modifikuara gjenetikisht. Por fushata kundër theu rekordin e këtij shteti për mbledhje fondesh për fushatë, duke realizuar një fitore të pabesueshme. Dy ditë më parë, votuesit zgjodhën “Jo”-në, pra opsionin që këto ushqime të mos markohen. Iniciativa 522, e cila kërkoi markimin, humbi me një diferencë prej 10 pikësh përqindjeje.

Mbështetësit e markimit mund të pretendojnë me të drejtë se kanë organizuar një fushatë popullore. Ata mblodhën rreth 8.4 milionë dollarë fonde; Këtu përfshihen donacione nga kompani që kanë për bazë të vetën produktet natyrale por edhe kontributet e mbi 13 mijë individëve ku dhurata mesatare ishte 25 dollarë.

Kundërshtarët, nga ana e vet, mblodhën tri herë më shumë fonde, të siguruara këto nga kompanitë e ushqimit dhe firmat bioteknike, (të cilat thyen në këtë rast ligjet për financimin e fushatave, sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit). Ata siguruan fonde nga vetëm 4 individë.

E gjithë kjo para u shpërblye me një fushatë të mirorganizuar dhe me shumë reklama televizive, të fokusuara te kostot dhe mungesa e qëndrueshmërisë në logjikën e I-522. Fushata ishte jashtëzakonisht efektive. Një sondazhesh raportoi se mes atyre që votuan “jo”, arsyet kryesore qenë pikërisht ato të reklamuara nga bioteknologjia, pra faktin që ushqimet do të bëhen më të shtrenjta në rast se zgjidhet opsioni i markimit të produkteve të modifikuara gjenetikisht.

Vitin e kaluar, Propozimi 37, një nismë e ngjashme në Kaliforni, humbi gjithashtu në referendum pas një fushate të ngjashme, megjithëse në këtë rast humbja ishte më e ngushtë.

Për rrjedhojë, aktivistët kundër prodhimeve të modifikuara tashmë i kanë sytë nga Oregoni, shteti tjetër ku pritet të zhvillohet një referendum për markimin e produkteve OMGJ të shitura nëpër supermarkete.

Në sondazhe, shumica dërrmuese e konsumatorëve thonë se dëshirojnë të dinë se çfarë po hanë, praktikisht kërkojnë markim. Dhe fakti që kompanitë e mëdha të ushqimeve dhe firmat bioteknike po japin para të bollshme për t’i mohuar konsumatorit këtë informacion është, pa dyshim, një problem.

Për avokatët e markimit, këshilla më e mirë është që tani për tani të heqin dorë nga beteja përmes referendumeve. Për ta ka një mundësi tjetër: lufta nëpër parlamentet e shteteve.

Sipas Just Label It, një grupim aktivist që kërkon markimin në etiketë, ligje të tilla janë vendosur në 26 shtete të SHBA-së deri tani. Shumë shtete të tjera janë duke diskutuar masa të ngjashme. Në disa raste, miratimi është pothuajse i sigurt.

E gjitha kjo krijon dy vështirësi për kundërshtarët e markimit. E para, është ajo praktike. Prodhuesit duhet të merren me një seri ligjesh të reja dhe të ndryshme në të gjithë vendin. Në rast se referendumi në Kaliforni do të dilte me sukses, duke imponuar markimin në tregun më të madh konsumator të Amerikës, ky do të ishte një problem edhe më i madh për prodhuesit e ushqimeve dhe rrjetet e tyre të shpërndarjes.

Por fakti që shtete të ndryshme, në pjesë të ndryshme të vendit, kanë miratuar ligje që ndryshojnë në detaje, është në fakt një problem më i vogël. Vështirësia e dytë është që thjesht diskutimi i çështjes është i pakëndshëm për kompanitë e ushqimeve.

Në një vend që ka konsumuar me kënaqësi ushqimet e modifikuara për 20 vjet, shumë konsumatorë thjesht as nuk e kanë menduar këtë çështje. Por kur ajo bëhet një problem, thirrja për transparencë dhe për të drejtën e informimit është joshëse. Rrjedhimisht kemi edhe rezultatin e sondazheve që fillimisht tregojnë për mbështetje masive të markimit.

Kompanitë e ushqimeve dhe të bioteknologjisë kanë dëshmuar se kanë vendosmërinë dhe financat e nevojshme për të përmbysur sondazhet fillestare. Por kjo është një betejë e kushtueshme, lodhëse dhe pa fitore finale.

Kjo është arsyeja se pse ne po shohim thirrje që Kongresi (federal) të merret me këtë çështje. Pas betejës së lodhshme të vitit të kaluar në Kaliforni, prodhuesit e ushqimeve dhe shitësit me pakicë thuhet se po priren nga ideja e një ligji federal mbi etiketat. Mendimi i tyre është që të pranojnë një lëshim në mënyrë që të ndalojnë luftën e gjatë. Por nuk është e qartë nëse edhe kompanitë e bioteknologjisë e mendojnë këtë. Sot, ndërsa përballet me probleme të mëdha, edhe grupimi i aktivistëve kundër ushqimeve OMGJ po priret të besojë se një zgjidhje në nivel federal mund të jetë e mirë: në një deklaratë, ajo tha se Administrata e Ushqimeve dhe Ilaçeve (FDA) duhet të “përcaktojë standardet kombëtare për sigurinë dhe etiketat e prodhimeve të realizuara me përbërës OMGJ”.

Por FDA nuk ka dëshirë të përfshihet në këtë çështje pa një udhëzim fillestar nga Kongresi. Kompromisi mund të gjendet në formën e shënimit në etiketa të origjinës së ushqimeve. Por pas fitoreve vendimtare në referendume, kundërshtarët e markimit të ushqimeve OMGJ nuk e shohin si të domosdoshme lëshimin. Dhe kompromisi duket i pakëndshëm edhe për kundërshtarët, të cilët e shohin betejën e tyre si një kryqëzatë më shumë se sa si një betejë politike.

Më poshtë, mund të KOMENTONI në lidhje me artikullin.

Perkthimet


-->